Deputeti i sapozgjedhur nga radhët e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit, Besart Xhaferi, ishte i ftuar në studion e Neës24, ku deklaroi se procesi zgjedhor ka qenë një farsë e plotë, duke theksuar se manipulimet dhe shkeljet kanë qenë të pranishme në çdo hap të tij
Sipas Xhaferit, transparenca është thelbësore për të zbuluar shkeljet e ndodhura, ndërsa theksoi se në kutitë e votimit ndodhet vetëm 1 përqind e farsës elektorale. Ai përmendi edhe fenomenin e njohur si “treni bullgar”, duke akuzuar për përdorimin e grupeve kriminale dhe administratës publike për manipulimin e rezultatit
“Presim një mandat më tepër në Tiranë dhe në Elbasan. Vota është tjetërsuar pa shkuar fare në kuti. Farsa elektorale tregon se këto zgjedhje duhen hedhur poshtë. Shqiptarët kanë shkuar të votojnë të blerë dhe të manipuluar”, u shpreh Xhaferi. Ai përmendi se edhe vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE-së kanë pohuar se qytetarët shqiptarë nuk kanë votuar të lirë, ndërsa vuri në dukje se Ambasada Amerikane përshëndeti vetëm popullin shqiptar, duke shmangur një qëndrim mbështetës për qeverinë.
Deputeti demokrat bëri me dije se Partia Popullore Europiane (PPE) pritet të sjellë në Shqipëri një mision fakt-mbledhës për procesin zgjedhor.
Në përmbyllje, Xhaferi u shpreh se lideri i opozitës, Sali Berisha, ka një detyrë historike për të zbardhur farsën elektorale dhe për të mbrojtur vullnetin e vërtetë të qytetarëve shqiptarë. Sipas tij, “vota e PD është e pastër, ndërsa PS është e talentuar për të përdorur mjete të paligjshme”.
Deputeti i zgjedhur i PD Besart Xhaferi: Për ne ka shumë rëndësi transparenca dhe duke u bërë transparencë, do të dalin shkeljet. Në kuti ndodhen vetëm 1 përqind e farsës elektorale. “Treni bullgar” në zgjedhje ka ndodhur. Presim një mandat më tepër në Tiranë dhe në Elbasan. Vota është tjetërsuar pa shkuar në kuti, ka ndodhur me grupet kriminale, me përdorimin e administratës publike. Farsa elektorale është që zgjedhjet duhet të hidhen poshtë. Shqiptarët kanë shkuar të votojnë të blerë, të manipuluar. OSBE tha se shqiptarët nuk votuan lirë. Ambasada amerikane përshëndeti popullin shqiptar dhe jo Ramën. PPE do të sjellë mision fakt-mbledhës për zgjedhjet në Shqipëri. Zgjedhjet duhet të organizohen me qeveri teknike. Berisha ka detyrë historike që të vërtetojë farsën elektorale. Vota e PD është e pastër. PS është parti e talentuar, për të punuar me mjete të paligjshme