A dëmshpërblen shteti shqiptar në mënyrë të drejtë qytetarët që mbahen në burg padrejtësisht?
Ky është debati që tashmë ka mbërritur në Gjykatën Kushtetuese, përmes një padie të ngritur nga gjyqtari administrativ, Bevis Shehaj, i cili kërkon shfuqizimin si antikushtetues të ligjit aktual për kompensimin e burgimit të padrejtë.
Sipas ligjit në fuqi, kompensimi për një ditë paraburgim të padrejtë është 3 mijë lekë, ndërsa për një ditë burg ose arrest shtëpiak përllogariten përkatësisht 2 mijë dhe 1 mijë lekë.
Por Shehaj e konsideron këtë skemë të padrejtë, diskriminuese dhe joproporcionale në raport me dëmin real që u shkaktohet qytetarëve që mbahen në mënyrë të padrejtë prapa hekurave.
Në padinë e tij drejtuar Kushtetueses, gjyqtari i referohet edhe rastit konkret të Erjon Demajt, i cili ka qëndruar tre vjet më shumë në paraburgim sesa dënimi me 8 muaj burg që më vonë iu dha nga gjykata. Kjo situatë është marrë si ilustrim i qartë i pasojave që sjell ky kompensim minimal.
Shehaj thekson se 3 mijë lekë në ditë nuk mbulojnë as dëmet ekonomike, e aq më pak ato psikologjike, që i shkaktohen një individi të privuar nga liria padrejtësisht. Në argumentimin e tij, ai kujton se paga minimale zyrtare në Shqipëri është 40 mijë lekë në muaj, dhe në raport me këtë pagë, kompensimi mbetet i papërfillshëm.
“Individët me paga më të larta, p.sh. me të ardhura 1 500 apo 2 000 euro në muaj, rrezikojnë të mos marrin as gjysmën e dëmit real që u është shkaktuar”, thuhet në padinë e gjyqtarit.
Gjyqtari Shehaj kërkon nga Kushtetuesja kontrollin incidental të ligjit shqiptar, duke iu referuar edhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), e cila njeh të drejtën për dëmshpërblim efektiv kur një person mbahet padrejtësisht në paraburgim ose në burg.
Kjo çështje vjen pas shqetësimeve të përsëritura të shprehura nga komuniteti i avokatëve, të cilët kanë kërkuar rishikimin e këtij kompensimi, jo vetëm për ata që shpallen të pafajshëm, por edhe për ata që mbahen në burg më gjatë sesa parashikon vendimi gjyqësor.
Procesi gjyqësor do të mbetet i pezulluar derisa Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim përfundimtar mbi kushtetutshmërinë e këtij ligji dhe vlerën reale të kompensimit për të burgosurit padrejtësisht, raporton tch

