Nënkryetari i LDK-së dhe njëherësh kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka komentuar zhvillimet politike në vend gjatë pjesëmarrjes së tij në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova.
Ai vlerësoi se pas përfundimit të zgjedhjeve, është bërë e qartë se qeveria aktuale nuk gëzon më besimin e qytetarëve për të krijuar një ekzekutiv të ri.
Muhaxheri u shpreh se vendi është futur në një krizë politike që po manifestohet përmes asaj që ai e cilësoi si “cirkus” në Kuvendin e Kosovës. “Në bazë të rezultatit përfundimtar që e kanë prodhuar këto zgjedhje, është parë që qeveria në ikje nuk e ka më besimin e qytetarëve për të krijuar një qeveri të re”, tha ai.
Sipas tij, qeverisja e deritanishme me mbështetje të minoriteteve dhe retorika sulmuese ndaj opozitës gjatë fushatës, e kanë bërë të pamundur krijimin e një bashkëpunimi të ri politik. “Ka qenë e pritshme që një qeveri që ka qeverisur e vetme me minoritetet, nuk ka me përtypë ose me përceptu që duhet të qeverisë prapë me dikë tjetër – sidomos me ato partitë që i ka sulmuar shumë gjatë fushatës zgjedhore dhe ka përdorur fjalor denigrues për kundërshtarët politikë”, theksoi Muhaxheri.
Në fund, ai shtoi se jemi përballë një realiteti ku Parlamenti është kthyer në arenë përplasjeje të përditshme, pa perspektivë të qartë për një zgjidhje. “Tash kur jemi para një situate ku nuk mund të formohet qeveria, e kemi këtë cirkusin që po ndodh çdo të dytën ditë – do të thotë, një degradim total i Parlamentit të Republikës së Kosovës, duke dashur të imponohet diçka që nuk mund të imponohet”, përfundoi ai.

