Klubi anglez, Liverpool raportohet se është duke përgatitur mega-ofertën për sulmuesin e Newcastle United, Alexander Isak, gjatë këtij muaji, menjëherë pas përfundimit të marrëveshjes me Florian Wirtz nga Bayer Leverkusen.
Aktualisht, rekordi i transferimit më të shtrenjtë në historinë e futbollit britanik mbahet nga Moises Caicedo, i cili në vitin 2023 i ishte bashkuar Chelseat nga Brighton për 115 milionë funte.
Por Liverpool është pranë thyerjes së këtij rekordi me transferimin e Florian Wirtzit, i cili siç raportohet, do t’i kushtojë klubit 116 milionë funte, marrëveshje që pritet të finalizohet këtë të premte.
Pas një sezoni zhgënjyes ku shënoi vetëm 5 gola në 30 paraqitje në Premier League, sulmuesi uruguaian Darwin Nunez është nxjerrë në shitje. Liverpool po kërkon rreth 60 milionë funte për kartonin e tij dhe të ardhurat nga ky transferim pritet të përdoren për të sjellë në “Anfield” Alexander Isak.
Sipas gazetarit të “talkSPORT”, Alex Crook, Liverpool mund të thyejë sërish rekordin britanik të transferimeve edhe me afrimin e Isak, i cili konsiderohet si një nga sulmuesit më të mirë në Evropë për momentin, pas një sezoni fantastik me 27 gola dhe 6 asistime në 42 ndeshje.
Transferimi i Isak do të plotësonte një formacion të fuqishëm dhe konkurrues për titullin në sezonin e ardhshëm për “The Reds”