Komuna e Prishtinës nis sonte procesin e dezinsektimit hapësinor në të gjitha zonat e kryeqytetit dhe rrethinës, me qëllim të reduktimit të insekteve si mizat dhe mushkonjat, të cilat mund të bartin sëmundje ngjitëse.
Lajmin e ka konfirmuar Drejtori i Shëndetësisë në Komunë, Izet Sadiku, në një intervistë për Ekonomia Online.
Sipas tij, ky proces përfshin një sipërfaqe prej rreth 7 mijë hektarësh, ndërsa do të realizohet në gjashtë faza, secila prej tyre me kohëzgjatje gjashtëditore.
“Pas përgatitjeve të realizuara, sot më 18 qershor fillon procesi i dezinsektimit hapësinor në kryeqytet. Qëllimi është zhdukja e mizave dhe mushkonjave, të cilat mund të jenë bartëse të sëmundjeve ngjitëse. Duam të parandalojmë përhapjen e mundshme të sëmundjeve gjatë verës, kur rritet ndjeshëm prania e insekteve,” tha Sadiku.
Ai sqaroi se një faktor kyç për suksesin e këtij procesi janë kushtet klimatike, sidomos mungesa e reshjeve. Në dy javët e fundit, sipas tij, moti ka qenë i qëndrueshëm dhe i përshtatshëm për realizimin efektiv të dezinsektimit.
“Lagështia është një faktor që ndihmon shumimin e insekteve, ndërsa moti i thatë dhe i ngrohtë që ka mbizotëruar deri tani ka krijuar kushte optimale për të nisur këtë proces,” shtoi Sadiku.
Dezinsektimi do të kryhet në orët e mbrëmjes, duke filluar nga ora 20:00, për të shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarët dhe për të rritur efektshmërinë e trajtimit.
Autoritetet komunale theksojnë se ky është një hap i rëndësishëm drejt ruajtjes së shëndetit publik, veçanërisht në sezonin veror, kur rritet rreziku nga shpërthimi i sëmundjeve të shkaktuara nga insektet.
Komuna ka bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët, duke iu kërkuar që të shmangin qëndrimin jashtë gjatë orëve të ndërhyrjes dhe të respektojnë udhëzimet e institucioneve përkatëse.