Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, është intervistuar sot në Prokurorinë Speciale lidhur me hetimet për funksionalizimin e fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore në Drenas.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, tha për Telegrafin se Bislimi është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit.
“Prokuroria Speciale është duke zhvilluar hetime lidhur me dyshimet për dhënien me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore. Në kuadër të zhvillimit të hetimeve, të mërkurën në Prokurorinë Speciale është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit Besnik Bislimi. Por, nuk jemi në gjendje sot të diskutojmë apo japim detaje, meqë çështja është në fazën fillestare të hetimeve”, theksoi ajo.
Tutje, ajo shtoi se PSRK, në koordinim me Policinë është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar të gjitha provat që do të shërbejnë për zbardhjen e rastit konkret
Ndryshe, zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka reaguar pas intervistimit të tij në Prokurorinë Speciale lidhur me hetimet për funksionalizimin e fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore në Drenas.
Në një postim në rrjetet sociale, Bislimi bëri të ditur se ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit, por theksoi se pyetjet e bëra nuk përkonin me këtë cilësi.