Kreu i PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, ka dhënë deklarata të ashpra në adresë të kryeministrit Albin Kurti në një intervistë për emisionin FRONTAL në T7, duke e cilësuar atë si “kryeministër të papërgjegjshëm” dhe duke shprehur mosbesim të plotë ndaj një bashkëpunimi të mundshëm të PDK-së me Lëvizjen Vetëvendosje.
Lushtaku ka hedhur poshtë çdo mundësi që partia e tij të japë votën për një kandidat të LVV-së për kryeministër apo për kryetar të Kuvendit, duke e quajtur Kurtin një politikan që “do vetëm karrigen dhe nuk shqetësohet për hallet e qytetarëve”.
“Nuk i kuptoj qytetarët. Qytetarët duhet me i vlerësu jo llafet, jo fjalët. Duhet me e vlerësu punën,” – tha ai.
Ish-komandanti i UÇK-së ka ngritur dyshime edhe për angazhimet konkrete të Qeverisë aktuale, duke pyetur publikisht se cili është një projekt i nisur dhe i përfunduar nga ekzekutivi i drejtuar nga Kurti.
Ai shtoi se Kurti, sipas tij, nuk ka lidhje emocionale apo personale me vendin dhe se, nëse humb zgjedhjet, “do të largohet nga Kosova”.
“Unë s’kam familje jashtë. 15 nipa e mbesa i kam në Kosovë. Albin Kurtit nuk i dhemb shpirti. S’e ka kërkand këtu. Unë besoj që ai nesër kur t’i humb zgjedhjet, ka me ik prej Kosovës,” – deklaroi Lushtaku.