Grupi i Sulmit të aeroplanmbajtëses amerikane USS Gerald R. Ford pritet të vendoset në Evropë javën e ardhshme, me gjasë në afërsi të Lindjes së Mesme, duke shtuar kështu një aeroplanmbajtëse të tretë amerikane në zonën e tensionuar mes Izraelit dhe Iranit. Lajmin e kanë bërë të ditur një zyrtar amerikan dhe dy burime të tjera me njohuri për çështjen, raportoi CNN.
Dislokimi i USS Ford ishte planifikuar për teatrin e Komandës Evropiane që nga fundi i vitit të kaluar, por zhvillimet e fundit në rajon e kanë bërë të mundshme zhvendosjen e saj në Detin Mesdhe Lindor, në mbështetje të operacioneve pranë Izraelit, ku tensionet me Iranin mbeten të larta.
Në të njëjtën kohë, një tjetër aeroplanmbajtëse amerikane është në lëvizje drejt Lindjes së Mesme dhe pritet t’i bashkohet ose ta zëvendësojë USS Carl Vinson, sipas të njëjtit raport.
Përdorimi i aeroplanmbajtësve është një nga mjetet kyçe të SHBA-së për të projektuar forcë në rajone të ndjeshme. Të pajisura me dhjetëra avionë luftarakë, këto mjete lundruese janë të afta të zhvillojnë operacione ajrore, të kapin raketa dhe dronë, dhe shoqërohen nga flotilje anijesh luftarake që ofrojnë mbrojtje nga kërcënime ajrore, sipërfaqësore dhe nëndetëse.
Ky zhvillim përforcon praninë ushtarake amerikane në një kohë kur rreziku i përshkallëzimit të konfliktit rajonal mbetet i lartë dhe shqetësimet për sigurinë ndërkombëtare janë në rritje.