Shqipëria, nga një vend me popullsi të re, tashmë po plaket. Gjatë 14 viteve të fundit, ajo renditet në mesin e 11 vendeve me popullsi më të plakur në Europë. Shkaku, sipas Eurostat, është emigrimi i të rinjve si dhe ulja e lindshmërisë. Sipas të dhënave të fundit për moshën mediane, periudha 2010–2024 tregon se vendi ynë po kalon një shok demografik që nuk ka precedent në kontinentin europian. Ritmi i plakjes në Shqipëri është gati katërfish më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian.
Në vitin 2010, Shqipëria ishte një nga vendet me popullsinë më të re në Europë, me moshën mediane 31.9 vjeç. Por, në vetëm 14 vjet, në vitin 2024, ajo u rendit në mesin e 11 vendeve me popullsi më të plakur në Europë.
Sipas të dhënave të Eurostat, mosha mediane e popullsisë në BE arriti në 44.7 vjeç vitin e kaluar, ndërsa në Shqipëri ishte 44.3 vjeç. Kjo do të thotë se në Shqipëri, gjysma e popullsisë është nën 44.3 vjeç dhe gjysma mbi këtë moshë. Në 2010-n, gjysma e popullsisë shqiptare ishte nën 31.9 vjeç.
Nga 2010 në 2024, mosha mediane e popullsisë shqiptare është rritur me 12.4 vite. Të dhënat zyrtare tregojnë se asnjë vend tjetër europian nuk ka përjetuar një lëvizje kaq të madhe në kaq pak kohë. Në shumicën e shteteve, rritja e moshës mediane ka qenë nga 2 deri në 6 vjet, ndërsa mesatarja e BE-së është 3.4 vjet.
Të dhënat e fundit tregojnë se Italia është vendi me popullsinë më të plakur në Europë, me moshën mediane prej 48.7 vjeç, e ndjekur nga Bullgaria, Portugalia, Greqia dhe Spanja, ku mosha mediane e popullsisë është rreth 47 vjeç.
Në renditje vijnë Gjermania, Kroacia, Sllovenia dhe Serbia me moshën mediane rreth 45 vjeç, të ndjekura nga Hungaria dhe Shqipëria me mbi 44 vjeç.
Në listën e shteteve me popullsi të re vazhdon të jetë edhe Kosova, që sipas censit të fundit të vitit 2024 kishte një moshë mediane prej 34 vjeç.
Rënia drastike e fertilitetit, nën 1.5 lindje për grua përgjatë dekadës, dhe emigracioni i lartë i të rinjve kanë ndikuar në plakjen e shpejtë të popullsisë rezidente në vendin tonë. Mosha mediane e popullsisë shqiptare është rritur me ritme shumë më të larta se rajoni. Në Ballkanin Perëndimor, mosha mediane u rrit nga 3 deri në 6 vjet ndërmjet 2010-2014.
Një vështrim i detajuar mbi të dhënat e moshës mediane nga 2010 deri në 2024 tregon se vendi ynë po kalon një shok demografik pa precedent në kontinentin europian. Ritmi i plakjes në Shqipëri është gati katërfish në krahasim me mesataren e BE-së dhe afro dyfish ndaj vendit të dytë me plakjen më të shpejtë, Moldavisë.
Me këto ritme, forca e punës mund të tkurret me 8% deri në vitin 2030. Gjithashtu, rritja ekonomike rrezikon të ngadalësohet nëse produktiviteti i punës nuk përmirësohet. Vitet e fundit është përforcuar largimi i popullsisë në moshë pune, kryesisht në grupmoshën 20-35 vjeç, drejt BE-së, Britanisë dhe SHBA-së. Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se emigracioni neto (ikjet minus kthimet) gjatë periudhës 2023-2024 ishte -72 mijë persona, shumica e të cilëve të rinj.
Demografët këshillojnë hartimin e strategjive gjithëpërfshirëse që synojnë frenimin e emigracionit, kthimin e diasporës dhe inkurajimin e lindjeve përmes politikave fiskale pro-familjes

