Profesori amerikan, Charles Kupchan, i cili është edhe pjesë e Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në SHBA në një intervistë për T7 ka folur rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe është pyetur për mundësinë e rikthimit të idesë së shkëmbimit të territoreve,
Kupchan ka thënë se nuk e beson që Administrata e Donald Trump do ta shtyjë përpara idenë e shkëmbimit të territoreve nëse për diçka të tillë s’do të ketë interes nga vetë palët, Kosova dhe Serbia.
“Nuk besoj se administrata Trump do ta shtyjë përpara idenë e shkëmbimit territorial nëse vetë Prishtina dhe Beogradi nuk janë të interesuara për ta hapur sërish atë diskutim. Prandaj, mendoj se thjesht duhet të presim dhe të shohim se në cilin drejtim do të ecë dialogu”, ka thënë Kupchan.

Ai tutje ka thënë se nuk beson që do të ketë një rol të theksuar të sHBA-së në Ballkan gjatë këtij mandate të Trump, duke qenë se ai dëshiron që Evropa të merret më shumë me punët e veta.
“Trump i ka duart plot, apo jo? Ka një luftë të përmasave të plota që po zhvillohet në Ukrainë. Ka një tjetër luftë të përmasave të plota në Lindjen e Mesme. Ka luftëra tregtare që po zhvillohen si pasojë e politikës së tij të tarifave. Dhe ai e ka bërë të qartë se dëshiron që Evropa të bëjë më shumë për t’u kujdesur për sigurinë e vet. Prandaj nuk besoj se do të shohim një rol të spikatur amerikan në Ballkan gjatë mandatit të dytë të Trumpit”, ka thënë ai