Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj situatës aktuale politike në vend, duke akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për “mashtrim politik” dhe për mbajtjen peng të Kosovës.
Përmes një deklarate për media, Haradinaj e cilësoi ngërçin politik si pasojë të drejtpërdrejtë të, siç e quajti ai, mungesës së përgjegjësisë dhe manipulimit të opinionit publik nga Kurti.
“Për fat të keq jemi duke paguar çmimin se i kemi besuar një mashtruesi. Për mua nuk është befasi, ju e dini vlerësimin tim për të, por edhe kjo situatë duhet të marrë fund diku – mashtruesi s’mundet pa kufi që të tallet me një vend. Gjithë ne tjerët jemi peng i tij,” – u shpreh Haradinaj.
Ai shtoi se takimet politike dhe përpjekjet për zgjidhje janë, sipas tij, një farsë pa përmbajtje të vërtetë, duke e akuzuar Kurtin për degradim të vazhdueshëm të institucioneve dhe vullnetit qytetar.
“Këto takimet, përrallat janë veç hajgare – një njeri është duke mbajtur peng Kosovën e duke i bërë të këqija,” – tha ai.