Ushtria izraelite ka konfirmuar se ka ndërmarrë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj reaktorit bërthamor në qytetin Arak të Iranit, duke deklaruar se objekti ishte “joaktiv”, por mbante potencial për prodhimin e plutoniumit me përdorim ushtarak.
Sipas deklaratës zyrtare të Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF), reaktori ishte projektuar për të prodhuar plutonium me rendiment të lartë, material që mund të përdoret për ndërtimin e armëve bërthamore.
IDF theksoi se sulmi kishte për objektiv të veçantë komponentët e destinuar për prodhimin e plutoniumit, duke synuar të pamundësojë rikthimin e funksionit të reaktorit.
“Sulmi kishte një karakter parandales, duke synuar të kufizojë aftësitë potenciale bërthamore të Iranit në të ardhmen”, thuhet në njoftim.
Në kuadër të ofensivës më të gjerë ajrore, Izraeli ka përdorur rreth 40 avionë luftarakë, të cilët kanë shënjestruar dhjetëra instalime ushtarake, përfshirë fabrika për përpunimin e lëndëve të para për raketa balistike, objekte për prodhimin e pjesëve kritike dhe pozicione të sistemit iranian të mbrojtjes ajrore.
Ky zhvillim vjen në një moment tensionesh të thella mes Teheranit dhe Tel Avivit, pas një jave shkëmbimesh intensive zjarri dhe paralajmërimesh të ndërsjella. Sulmi ndaj Arakut shihet nga analistët si sinjal i qartë strategjik për të frenuar ambiciet e Iranit në sektorin bërthamor dhe ushtarak.