Kryetari i Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, priti sot në takim Ambasadorin e Francës në Kosovë, z. Olivier Guérot, i shoqëruar nga këshilltari për çështje fetare në Ministrinë Franceze të Evropës dhe Punëve të Jashtme, z. Jean-Christophe Peaucelle, dhe praktikanti i seksionit politik të Ambasadës së Francës, z. Théophile Montage.
Në këtë takim u diskutua gjerësisht mbi zhvillimet aktuale politike në Kosovë, me theks të veçantë në marrëdhëniet ndërfetare në Komunën e Pejës.
Kryetari Muhaxheri informoi mysafirët për harmoninë dhe tolerancën fetare që karakterizon qytetin e Pejës, duke theksuar marrëdhëniet e shkëlqyera me të gjithë komunitetet fetare.
Ai veçoi bashkëpunimin e ngushtë me Patrikanën e Pejës, të cilën e cilësoi si një simbol të respektit të ndërsjellë dhe bashkëjetesës ndërfetare.
Kryetari nënvizoi gjithashtu se Komuna merr pjesë në çdo festë zyrtare fetare dhe e përfshin Patrikanën në të gjitha aktivitetet kulturore e turistike të qytetit.
Nga ana e tij, Ambasadori Guérot dhe z. Peaucelle shprehën vlerësimin për modelin e bashkëjetesës në Pejë, duke e cilësuar si një shembull pozitiv për gjithë rajonin. Ata theksuan rëndësinë e promovimit të tolerancës fetare si një vlerë themelore në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe të qëndrueshme.
Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore duke reflektuar interesimin e ndërsjellë për forcimin e lidhjeve ndërmjet institucioneve komunale dhe përfaqësive diplomatike.