Kryetari i Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, ka pritur sot në një takim zyrtar Rektorin e UBT-së, z. Edmond Hajrizi, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë konkrete të bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Pejës dhe institucionit arsimor UBT, me fokus të veçantë në investimet në fushën e arsimit dhe zhvillimit sportiv. Duke pasur parasysh sukseset e vazhdueshme të Pejës në sporte si xhudo, palët theksuan rëndësinë e përkrahjes së talenteve të reja dhe krijimit të hapësirave moderne për edukim dhe stërvitje.
Në agjendë u përfshi edhe nevoja për avancimin e fushës së teknologjisë dhe arsimit profesional, duke përfshirë projekte që do të rrisin kapacitetin inovativ dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.
Rektori Hajrizi shprehu gatishmërinë e UBT-së për të investuar në projekte të përbashkëta që kontribuojnë në rritjen e cilësisë në arsim dhe zhvillim të qëndrueshëm. Ai vlerësoi lartë gatishmërinë dhe përkushtimin e Kryetarit Muhaxheri për krijimin e kushteve të favorshme për arsimin dhe bashkëpunimin me institucionet akademike.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të partneriteteve strategjike që do të sjellin përfitime afatgjata për qytetarët e Pejës, veçanërisht të rinjtë që synojnë arsimim cilësor dhe të orientuar drejt tregut të punës.