Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, zhvilloi sot, më 19 qershor, një takim zyrtar në Paris me Ministrin francez të Mbrojtjes, Sébastien Lecornu, në vijim të përpjekjeve për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Ky takim vjen vetëm pak javë pas vizitës së Lecornu në Tiranë, duke reflektuar intensifikimin e shkëmbimeve strategjike mes dy vendeve.
Në një postim në rrjetet sociale, ministri Vengu u shpreh se takimi shërbeu për të avancuar objektivat e përbashkëta në rritjen e gatishmërisë operacionale dhe profesionalizimin e mëtejshëm të personelit ushtarak shqiptar. Ai ndau gjithashtu pamje nga pritja zyrtare në Paris.
Duke e cilësuar partneritetin me Francën si një komponent kyç të zhvillimit të kapaciteteve të mbrojtjes së Shqipërisë, Vengu vuri theksin në rëndësinë që ka bashkëpunimi në modernizimin e sistemeve ajrore, një segment thelbësor për sigurinë kombëtare.
Vizita e ministrit Vengu në Francë përkon me pjesëmarrjen e tij në “Paris Air Show” (Salon du Bourget), një nga ekspozitat më të rëndësishme globale për aviacionin civil dhe ushtarak, si dhe për zhvillimet në teknologjitë e mbrojtjes.
Prezenca në këtë aktivitet vlerësohet si një mundësi strategjike për forcimin e marrëdhënieve tekniko-ushtarake mes Shqipërisë dhe Francës, si dhe për njohjen me prirjet më të fundit në fushën e aviacionit dhe mbrojtjes.
Në një kohë sfidash të reja gjeopolitike, ky takim përforcon përkushtimin e Shqipërisë për të ndërtuar partneritete të forta me aleatë strategjikë në kuadër të sigurisë kolektive dhe modernizimit të forcave të saj të armatosura.