Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se pritet që procedurat për disbursimin e fondeve nga ana e Bashkimit Evropian për Pakon për Subvencionimin e Pajisjeve Efiçiente të përmbyllen deri në muajin korrik 2025. Pas këtij hapi, Ministria do të ekzekutojë pagesat për qytetarët përfitues.
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë, kjo pako synon mbështetjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve, veçanërisht familjeve me të ardhura të ulëta dhe grupeve të cenueshme, përmes subvencionimit të pajisjeve me efiçiencë të lartë të energjisë dhe sistemeve të energjisë së ripërtëritshme në sektorin e amvisërisë.
“Ministria e Ekonomisë njofton qytetarët përfitues të pakos për subvencionimin e pajisjeve efiçiente, se bazuar në njoftimin e pranuar nga Bashkimi Evropian, pritet që procedurat për disbursimin e fondeve të përmbyllet deri në muajin korrik 2025 nga ana e tyre, dhe tutje Ministria do të ekzekutojë pagesat,” thuhet në deklaratën zyrtare.
Deri më tani janë përzgjedhur 11,188 përfitues, të cilët kanë plotësuar kriteret për përfitim dhe janë njoftuar përmes Komisioneve Vlerësuese, me një vlerë totale prej 4,987,061 euro. Përveç tyre, mbeten edhe 1,459 qytetarë dhe 10 biznese që do të përfshihen në pagesat që pritet të realizohen pas përfundimit të procedurave të disbursimit nga BE-ja.
Ministria e Ekonomisë ka theksuar se ka përmbyllur me kohë të gjitha procedurat administrative dhe teknike në përputhje me Vendimin Nr. 20/145 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, që përcakton funksionimin e Komitetit Drejtues dhe Koordinues për zbatimin e Planit të Veprimit për zbutjen e ndikimeve socio-ekonomike të krizës energjetike.
Në këtë kuadër, është dorëzuar edhe raporti përfundimtar i implementimit në Zyrën e Bashkimit Evropian (ZBE) në Kosovë më 28 shkurt 2025, duke plotësuar detyrimet nga ana e institucioneve vendore.
Ministria ka shprehur keqardhje për vonesën në disbursim për një pjesë të përfituesve, duke sqaruar se kjo është pasojë e kohës që kërkojnë procedurat e brendshme të BE-së dhe jo neglizhencës në nivel lokal.
Ky projekt paraqet një nga ndërhyrjet më të rëndësishme në drejtim të efikasitetit energjetik dhe përballjes me krizën energjetike, duke kontribuar njëkohësisht në uljen e konsumit të energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit.