Valmir Elezi: Kandidatët për kryetar komune duhet të kenë 3 vite banim në komunën përkatëse

by engel

Kandidatët për kryetarë të komunave në zgjedhjet lokale të tetorit 2025 duhet të kenë qenë banorë të komunës përkatëse për së paku tre vite, sipas një parashikimi të Ligjit për Zgjedhjet Lokale.

Ky kusht shtesë vjen përveç kritereve të përgjithshme që përcaktohen me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

banner

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, sqaroi për Ekonomia Online se ky detyrim buron nga neni 9 i Ligjit për Zgjedhjet Lokale, i cili garanton një lidhje më të ngushtë mes kandidatit dhe komunitetit që dëshiron të përfaqësojë.

“…Në nenin 9, paragrafin 2 të Ligjit për Zgjedhjet Lokale kërkohet që kandidati për Kryetar të Komunës të ketë qenë për së paku 3 vite banor i komunës në të cilin ai/ajo është duke garuar”, deklaroi Elezi.

Ndërkaq, neni 30 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme liston situatat kur një person nuk mund të certifikohet si kandidat.

Ndër to përfshihen: mbajtja e funksioneve publike me status të veçantë, përfshirja në shërbimin diplomatik, anëtarësia në komisione zgjedhore, si dhe dënimet penale ose mosrespektimi i urdhrave nga PZAP apo KQZ.

KQZ do të kërkojë verifikim të të gjitha kushteve përmes institucioneve shtetërore përkatëse, për të garantuar ligjshmërinë e listave.

Procesi i aplikimit për subjektet politike do të zgjasë 49 ditë, nga 26 qershori deri më 13 gusht 2025.

Gjatë kësaj periudhe, partitë politike, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur duhet të dorëzojnë kërkesat për certifikim dhe listat për kandidatë në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike në kuadër të KQZ-së.

Elezi nënvizoi se subjektet politike janë të lira të zgjedhin në cilat komuna dëshirojnë të garojnë dhe nëse do të prezantojnë kandidatë vetëm për kryetar komune, vetëm për kuvend komunal apo për të dyja.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, caktoi më 9 qershor datën 12 tetor 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve lokale për kryetarë dhe kuvende komunale.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy