Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj situatës së zgjatur politike në vend, duke akuzuar direkt kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, për bllokimin e institucioneve të vendit.
Sipas saj, Kosova po vuan pasojat e papërgjegjësisë politike dhe ambicieve personale, që po e mbajnë të paralizuar jetën institucionale.
“Kosova është marrë peng nga kokëfortësia, kryeneçësia, papërgjegjësia e Albin Kurtit dhe VV-së,” – deklaroi Çitaku, duke shtuar se nuk ka asnjë logjikë që institucionet të mos konstituohen në një moment kaq kritik për vendin.
Në deklaratën e saj, Çitaku përmendi edhe ministren e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, duke theksuar se ambiciet e saj personale po kontribuojnë në zgjatjen e krizës politike.
“Nuk ka fije logjike që institucionet e Kosovës të mos konstituohen në mënyrë që të jemi në gjendje të adresojmë sfida të shumta, hallet e shumta të qytetarëve – për shkak të kryeneçësisë së Kurtit dhe ambicjes së Haxhiut,” – tha ajo.
Deputetja e PDK-së theksoi se Kosova është shumë më e madhe dhe më e rëndësishme sesa çdo individ dhe bëri thirrje për një zgjidhje urgjente që do t’i hapte rrugë normalizimit institucional.
“Kosova është shumë më e madhe dhe më e rëndësishme se sa secili prej nesh,” – përfundoi Çitaku.