Në kuadër të shënimit të Ditës Memoriale të Komunitetit Egjiptian, Zyra për Çështje të Komuniteteve organizoi një konferencë të veçantë, ku mori pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Megjithatë, kjo ngjarje u shoqërua me kritika të forta nga përfaqësues të komunitetit egjiptian, të cilët shprehën zhgënjimin e tyre për mënyrën e organizimit dhe përkushtimin institucional ndaj tyre.
Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, në fjalimin e tij para të pranishmëve, ngriti shqetësime serioze për mungesën e dinjitetit me të cilin po trajtohet kjo ditë përkujtimore. Ai theksoi se edhe këtë vit, më 24 qershor, komuniteti egjiptian nuk e ndjeu përkrahjen e duhur shtetërore dhe simbolike nga institucionet e Kosovës.
“Duke qenë mik i komunitetit egjiptian, kryeministër, ne duam të jemi të sinqertë me ju. Nuk kemi pasur koordinim që ky manifestim të jetë më dinjitoz. Ka disa mangësi serioze. Nuk është përfshirë as emblema e komunitetit tonë dhe këtë e themi me keqardhje, ndërkohë që edhe autori i saj është prezent këtu”, deklaroi Berisha.
Ai rikujtoi se, ndonëse kanë kaluar katër vjet nga kërkesa e parë, data 24 qershor ende nuk është futur në Ligjin për Festat Zyrtare.
Berisha gjithashtu kritikoi përjashtimin e komunitetit egjiptian nga shumë aktivitete shtetërore dhe mungesën e hapësirës për zërin e tyre në mediat publike.
“Egjiptianët janë përjashtuar nga shumë aktivitete. Në këtë mënyrë po shkojmë drejt asimilimit, dhe me keqardhje ju them se nuk do të marrim pjesë në koktejin e këtij takimi,” përfundoi ai.
Ky reagim nxori në pah sfidat e vazhdueshme me të cilat përballet komuniteti egjiptian në Kosovë, duke vënë në pikëpyetje përkushtimin e institucioneve për barazi dhe përfshirje reale të komuniteteve jo-shumicë.