Ajatollah Ali Khamenei, Udhëheqësi Suprem i Iranit, ka emëruar tre klerikë të lartë si kandidatë për ta pasuar atë në rast se vritet gjatë konfliktit të vazhdueshëm me Izraelin, raportoi të shtunën The New York Times.
Gazeta shkruan gjithashtu se Khamenei ka marrë një “vendim të pazakontë” duke udhëzuar Asamblenë e Ekspertëve të Iranit – organin përgjegjës për zgjedhjen e udhëheqësit suprem – që pasuesi i tij të zgjidhet nga këta tre emra të caktuar prej tij.
Sipas raportit, Khamenei ka hartuar gjithashtu një plan zëvendësimi në zinxhirin e tij komandues ushtarak, në rast se disa nga vartësit e tij kryesorë vriten.
Zyrtarë të lartë iranianë po përgatiten në heshtje për një sërë skenarësh të mundshëm ndërkohë që lufta vazhdon, përfshirë edhe mundësinë e përfshirjes së SHBA-së në konflikt.
Diskutime konfidenciale mbi pasuesin e mundshëm të Khameneit janë mbajtur ndërmjet diplomatëve nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë diskutuar në mënyrë teorike edhe për një skenar ku Republika Islamike mund të kolapsojë, mësoi CBS News të premten.
Diplomatët gjithashtu kanë diskutuar mundësinë e sigurimit të objekteve bërthamore iraniane dhe pasojat mjedisore për aleatët rajonalë, në rast se sulmohen impiante si ai në Fordow.
Që nga shpërthimi i shkëmbimit të raketave midis Iranit dhe Izraelit një javë më parë, Khamenei ka qëndruar i fshehur, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të martën se SHBA “e di saktësisht ku ndodhet ai”.
Raporti gjithashtu thekson se udhëheqësi iranian besohet se po përballet me kancer, ndërsa një vlerësim i inteligjencës amerikane konfirmon se Khamenei nuk e ka rifilluar programin bërthamor për armë, i cili u ndërpre në vitin 2003.
Sipas burimeve rajonale të cituara nga CBS, lidhjet ndërkombëtare dhe interneti në Iran janë dobësuar ndjeshëm për shkak të konfliktit aktual.
Diplomatët kanë shprehur shqetësim se është bërë gjithnjë e më e vështirë të caktohen takime me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi. Raporti shton gjithashtu se Khamenei është i shqetësuar për mundësinë e përgjimit të komunikimeve që mund të zbulojnë vendndodhjen e tij.
Këto zhvillime vijnë menjëherë pasi Araghchi është takuar me përfaqësues evropianë në Gjenevë të njëjtën ditë, në një takim që zgjati dy herë më shumë se sa ishte planifikuar, raportoi CBS.
Program bërthamor vetëm për qëllime civile?
Propozimi aktual amerikan në tryezë përfshin një kuadër që do t’i lejonte Iranit të operojë vetëm një program bërthamor civil, pa pasur të drejtë pasurimi të uraniumit, ndërsa do të blinte karburant bërthamor nga vende të tjera.
Një nga opsionet që po shqyrtohet është një iniciativë nga Omani për të krijuar një konsorcium rajonal nën mbikëqyrjen e IAEA-së dhe SHBA-së, që do të lejonte pasurimin për qëllime thjesht civile, përfundon raporti.