Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka hedhur kritika ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe partisë së tij Lëvizja Vetëvendosje, duke i akuzuar për mungesë të vullnetit politik në konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve të reja.
Në një deklaratë për mediat, Gashi tha se zvarritja e këtij procesi po e vendos vendin në një situatë të rrezikshme dhe të papranueshme, në një kohë kur dinamika ndërkombëtare është gjithnjë e më e tensionuar.
“Është përgjegjësi e Kurtit dhe partisë së tij që të konstituohet Kuvendi. Fatkeqësisht, është e turpshme çka po ndodh. Bota po kallet flakë dhe ne po shtyhemi mes veti se kush çfarë pozitë po merr,” u shpreh Gashi.
Ai paralajmëroi se vonesat në formimin e institucioneve e lënë Kosovën të pambrojtur përballë sfidave të mundshme rajonale dhe globale, duke theksuar se stabiliteti institucional nuk mund të vonohet më tej.
“Duhet t’i vijë fundi sa më shpejt kësaj situate. Është e papranueshme gjendja, sepse ka rreziqe të paparashikueshme, dhe këto rreziqe nuk lejojnë luksin që të mos kemi qeveri,” shtoi ai.