Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Partia Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka ngritur akuza të rënda ndaj një anëtari të partisë IRDK, duke pretenduar se është sulmuar verbalisht, kanosur dhe ofenduar në ambientet e Qeverisë së Kosovës.
Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Berisha deklaroi se incidenti ndodhi pas një fjalimi të mbajtur prej tij në një takim zyrtar, i organizuar nga Zyra e Kryeministrit me rastin e Ditës Memoriale të Komunitetit Egjiptian, më 24 qershor.
“Në objektin e Qeverisë së Kosovës, pas fjalimit tim, jam sulmuar, jam kanosur dhe jam ofenduar nga Fazli Stollaj, anëtar i kryesisë së IRDK-së, parti e drejtuar nga ministri në detyrë për Pushtetin Lokal, Elbert Krasniqi,” shkroi Berisha, duke shtuar se ngjarja ndodhi në praninë e pjesëmarrësve të tjerë.
Sipas tij, përmbajtja e fjalimit ka qenë e papranueshme për disa nga të pranishmit, përfshirë edhe z. Stollaj, i cili dyshohet se reagoi në mënyrë të papërshtatshme.
Berisha theksoi se pas mungesës së një kërkimfaljeje, ka vendosur të denoncojë rastin në Policinë e Kosovës, duke i besuar organit të drejtësisë për hetim të mëtejshëm.
IRDK dhe Ministria për Pushtet Lokal ende nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare lidhur me pretendimet e deputetit Berisha.