Prokuroria Themelore në Pejë ka marrë vendim për ndalimin 48 orësh të dy zyrtarëve të lartë të Policisë së Kosovës: Prekë Tuna, shef i Sektorit të Operativës në Stacionin Policor në Pejë, dhe Nexhat Gutiq, shef i Sektorit Rajonal për Operativ.
Lajmi është bërë i ditur nga emisioni hulumtues “Betimi për Drejtësi”.
Sipas prokurores Valbona Disha – Haxhosaj, ndalimi është rezultat i një hetimi të nisur pas marrjes së informacionit fillestar nga “Betimi për Drejtësi”, të cilët e zbuluan rastin përmes materialit hulumtues të transmetuar më 20 qershor në disa media vendore.
“Prokuroria është e përkushtuar për të ndriçuar të gjitha rrethanat e këtij rasti dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar drejtësi. Nuk do të ketë tolerancë ndaj shkeljeve të ligjit, pavarësisht pozitës së të dyshuarve,” deklaroi Disha – Haxhosaj për “Betimi për Drejtësi”.
Zëdhënësi i prokurorisë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar se hapat e parë hetimorë janë ndërmarrë menjëherë pas pranimit të informacionit me shkrim nga redaksia e emisionit.
Të dy eprorët policorë janë duke u hetuar për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.
Emisioni hulumtues ka zbardhur veprime të dyshimta të zyrtarëve në lidhje me një rast konkret penal, ku përmendet edhe raporti shoqëror mes të dyshuarve dhe një personi të përfshirë.
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), pas interesimit të mediave dhe hetimeve të brendshme, ka rekomanduar suspendimin e përkohshëm të Tunës dhe Gutiqit, ndërkohë që hetimet janë në vazhdim në koordinim të ngushtë me Prokurorinë.
Rasti daton nga data 28 maj dhe është zyrtarisht nën hetim që nga 3 qershori. IPK është njoftuar më 9 qershor dhe ka kërkuar qasje në dokumentacionin përkatës pranë Policisë së Kosovës.
Shënim redaksional: Të gjithë të përfshirët në këtë çështje konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse fajësia e tyre vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata kompetente.

