Robert Lewandowski, sulmuesi legjendar i Barcelonës, mund të jetë në prag të një kapitulli të ri në karrierën e tij.
Sipas raportimeve nga mediat saudite, përfshirë “Al-Riyadiyah”, polaku pritet të transferohet në Ligën Saudite pas përfundimit të kontratës së tij me Barcelonën në vitin 2026.
Gjatë qëndrimit të tij në “Camp Nou”, Lewandowski ka refuzuar disa oferta të majme nga klubet saudite, duke theksuar dëshirën për të vazhduar karrierën në Evropë dhe për të kontribuar te Barça.
Megjithatë, burime të afërta me lojtarin kanë konfirmuar se bisedimet me klubet nga Lindja e Mesme janë intensifikuar dhe një marrëveshje mund të konkretizohet verën e ardhshme.
Ky zhvillim mund të nxisë një tranzicion të rëndësishëm te Barcelona, e cila do të detyrohet të kërkojë një pasardhës të denjë për një nga golashënuesit më të suksesshëm të dekadës së fundit.
Me kontratën që skadon në vitin 2026 dhe një opsion për zgjatje që ende nuk është aktivizuar, klubi katalanas tashmë po shqyrton alternativa në merkato.
Nëse ky transferim realizohet, ai do të shënojë fundin e një epoke për Barcelonën dhe fillimin e një aventure të re për Lewandowskin në një treg që po tërheq gjithnjë e më shumë yje të futbollit botëror.