Ylli i Chelseat, Cole Palmer, ka zbuluar se frymëzohet nga figura si Lionel Messi dhe Wayne Rooney, pas kalimit te fanella me numrin 10, të cilën e ka veshur për herë të parë në fitoren 2-0 ndaj LAFC në kuadër të Kupës së Botës për Klube.
23-vjeçari e kishte mbajtur fanellën me numër 20 gjatë dy sezoneve të tij të para në “Stamford Bridge”.
“Messi, ai është më i madhi. Rooney dhe lojtarë të tillë. Është një numër ikonik. Unë e kam veshur nr. 10 gjithë jetën time si fëmijë – dhe thjesht më pëlqen.”
Palmer kujtoi edhe një moment nga viti 2015, kur si pjesë e akademisë së Man City, i kishte shkruar një mesazh Eden Hazardit – një prej ish-mbanësve të fanellës me numër 10 te Chelsea.
“Jo, s’ka kthyer përgjigje, por e kam parë disa herë në qendrën stërvitore dhe madje më ka kërkuar një fanellë për djemtë e tij,” rrëfeu Palmer.
Fanella nr. 10 u lirua pasi Mykhailo Mudryk, ish-numri 10, u pezullua përkohësisht pas një testi pozitiv për substancën meldonium. Ai tashmë është nën hetim dhe përballet me ndalim deri në katër vjet.
Palmer është bërë lideri i ri te Chelsea që prej transferimit nga Manchester City në vitin 2023, me 57 kontribute në gola në Premier League.
Ai ishte vendimtar në finalen e UEFA Conference League ndaj Real Betisit, me dy asistime brenda gjashtë minutave.
Edhe pse fama po rritet ndjeshëm, Palmer thotë:
“Jam thjesht një djalosh i zakonshëm. Ende bëj gjërat që kam bërë para se të vija te Chelsea: luaj me shokët, dal në fushat me bar artificial, luaj PlayStation.”
“Ka ndodhur shpejt, por është një ndjesi shumë e mirë. Nëse vazhdoj të performoj kështu, besoj që do të bëhet edhe më mirë.”