Një seri sulmesh ajrore nga forcat izraelite kanë shënjestruar të shtunën kompleksin kërkimor bërthamor në Isfahan, një ndër objektet më të rëndësishme strategjike të Iranit. Lajmi është konfirmuar nga zëvendësguvernatori i provincës për agjencinë gjysmëzyrtare të lajmeve Fars.
Sipas autoriteteve vendore, nuk ka pasur rrjedhje të materialeve radioaktive ose incidente të rënda për banorët, megjithëse popullsisë iu bë thirrje të shmangë zonën në mënyrë që ekipet e emergjencës të kryejnë operacionet e vlerësimit dhe menaxhimit të krizave.
Zëvendësguvernatori deklaroi se mbrojtja ajrore iraniane ka ndërhyrë për të ndaluar sulmet, por disa raketa kanë arritur objektivat e tyre. “Shumica e shpërthimeve u ndaluan si pasojë e aktivizimit të sistemit mbrojtës ajror, ndërsa një pjesë raketave ishin goditje direkte e armikut,” ka cituar agjencia Fars.
Sipas zyrtarëve lokalë, disa vende të tjera brenda provincës Isfahan janë goditur gjithashtu. Megjithatë, nuk është raportuar për viktima deri në këto momente. Një deklaratë e dhënë nga Akbar Salehi, zëvendës për siguri dhe zbatim të ligjit, sqaroi se rafineria e naftës nuk është prekur nga sulmet.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që infrastruktura bërthamore në Isfahan është vënë në shënjestër. Gjatë ditëve të para të konfliktit, Izraeli kishte deklaruar se goditi Qendrën e Teknologjisë Bërthamore, ndërsa një zyrtar i Forcave Mbrojtëse izraelite pohonte se ajo pësoi “dëme të konsiderueshme”.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike konfirmoi dëmtime të konsiderueshme në katër ndërtesa të kompleksit. Megjithatë, një zëdhënës i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit minimizoi efektet, duke thënë se dëmet ishin “të kufizuara” dhe nën kontroll.