Tragjedi në Brazil: Balona me ajër të nxehtë përfshihet nga flakët, humbin jetën të paktën tetë persona

by engel

Të paktën tetë persona kanë humbur jetën dhe trembëdhjetë të tjerë janë plagosur pasi një balonë me ajër të nxehtë u përfshi nga flakët dhe u rrëzua në qytetin Praia Grande, në shtetin jugor brazilian të Santa Catarina, mëngjesin e së shtunës.

Ngjarja ndodhi gjatë një fluturimi turistik, ku në bord ndodheshin gjithsej 21 persona, përfshirë edhe pilotin.

banner

Pamje tronditëse të publikuara nga mediat lokale tregojnë balonën e përfshirë nga tymi dhe flakët, teksa binte me shpejtësi drejt tokës.

Ekipet e emergjencës ndërhynë menjëherë në vendngjarje, duke transportuar të mbijetuarit në spitalet më të afërta. Gjendja e tyre shëndetësore nuk është bërë ende e ditur.

Guvernatori i Santa Catarinës, Jorginho Mello, konfirmoi lajmin përmes një postimi në rrjetin social X, duke deklaruar: “Ekipet tona vazhdojnë të ofrojnë të gjithë mbështetjen e nevojshme për familjet dhe viktimat. Po ndjekim nga afër situatën”.

Ngjarja ka ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë e fluturimeve me balona në rajon, veçanërisht gjatë festimeve të muajit qershor, kur aktiviteti është më i lartë për shkak të festave tradicionale në nder të shenjtorëve katolikë.

Autoritetet kanë nisur një hetim për të përcaktuar shkaqet e aksidentit dhe për të verifikuar nëse janë respektuar protokollet e sigurisë.

Kjo është ngjarja e dytë tragjike me balonë në Brazil brenda një jave, pas një incidenti të ngjashëm në shtetin São Paulo, ku humbi jetën një grua dhe u plagosën 11 persona.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy