Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ishte e vetmja e akuzuar që u paraqit në seancën e mbajtur më 23 qershor 2025, në lidhje me rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2016.
Të bashkëakuzuarit e saj, Pal Lekaj, Besa Baftiu dhe Donika Kada-Bujupi, munguan në këtë seancë.
Më 18 maj 2021, Gjykata Themelore kishte liruar nga akuza të gjithë të akuzuarit për veprën penale të “hedhjes së gazit lotsjellës”. Por me vendim të Gjykatës së Apelit, rasti është kthyer në rigjykim.
Albulena Haxhiu, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Pal Lekaj akuzohen se në shkurt të vitit 2016 kanë futur bombola me gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, duke kryer veprën penale “armëmbajtje pa leje”. Aktakuza lidhet me kohën kur partitë në opozitë atëherë – Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate – kundërshtonin marrëveshjen Kosovë-Mali i Zi për demarkacionin e kufirit dhe marrëveshjen Kosovë-Serbi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, shkruan Betimi per drejtesi.
Gjyqtari Bujar Ahmeti njoftoi se Pal Lekaj, Besa Baftiu dhe Donika Kada-Bujupi mungonin në seancë, pavarësisht se Gjykata disponon dëshmi se të tre janë ftuar në mënyrë të rregullt. Ai tha se për mungesën e të akuzuarve do të ndërmerren të gjitha masat ligjore.
Avokati i Pal Lekajt, Musa Damati, bëri të ditur se klienti i tij po mungonte për arsye procedurale dhe për shkak të qëndrimit jashtë vendit, ndërsa theksoi se kishte pranuar informacion se në seancë do të mungonte edhe Albulena Haxhiu.
Për shkak të mungesës së tre të akuzuarve, gjyqtari Ahmeti njoftoi se seanca nuk mund të vazhdojë dhe shtoi se do të bëhen veprimet e nevojshme ligjore ndaj tyre. Pas përfundimit të seancës, Donika Kada-Bujupi u paraqit në gjykatë.
Më 10 shkurt 2023 ishte caktuar të kryhej ekspertiza balistike për këtë rast, e cila do të përpilohej jashtë vendit.
Pal Lekaj nuk është i panjohur për sistemin gjyqësor, pasi ai është i akuzuar edhe në rastin e “53 milionësh”, ku ishte shpallur fajtor nga gjykata e shkallës së parë, por çështja u kthye për rigjykim nga shkalla e dytë. Ai po ashtu akuzohet edhe në një rast tjetër për hedhjen e gazit lotsjellës, së bashku me Glauk Konjufcën, Aia Dërgutin dhe Besa Baftiun.