Në një deklaratë tronditëse para Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Gjenevë, zyrtarja e lartë e Kombeve të Bashkuara, Virginia Gamba, ngriti alarmin për rrezikun e madh të një gjenocidi në Sudan, ku lufta civile ka marrë përmasa katastrofike.
Që nga prilli i vitit 2023, vendi është zhytur në një konflikt të përgjakshëm mes ushtrisë së udhëhequr nga Abdel Fattah al-Burhan dhe forcave paraushtarake RSF të komanduar nga Mohamed Hamdan Daglo.
Luftimet kanë shkaktuar vdekjen e dhjetëra mijëra njerëzve dhe kanë detyruar mbi 13 milionë të largohen nga shtëpitë e tyre – katër milionë prej tyre jashtë vendit – duke e kthyer krizën humanitare në më të rëndën në botë sipas OKB-së.
“Rreziku i gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit në Sudan mbetet shumë i lartë,” paralajmëroi Gamba. Ajo theksoi se sulmet e vazhdueshme dhe të qëllimshme ndaj grupeve etnike si Zaghawa, Masalit dhe Fur në rajonet e Darfurit dhe Kordofanit janë veçanërisht shqetësuese.
Sipas saj, të dyja palët në konflikt kanë kryer shkelje serioze të të drejtave të njeriut, por RSF dhe milicitë aleate arabe janë përgjegjëse për sulme të motivuara etnikisht që mund të përmbushin kriteret për gjenocid.
Deklarata e saj vjen pak pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila hodhi poshtë një padi të ngritur nga Sudani kundër Emirateve të Bashkuara Arabe për mbështetje të supozuar ndaj RSF-së, duke deklaruar se nuk kishte juridiksion për të shqyrtuar çështjen.
Ndërsa bota është e përqendruar në konflikte të tjera, si ato në Ukrainë apo Gaza, zëri i paralajmërimit për Sudanin duket se po mbytet në heshtje.

