Një atmosferë festive e mbushur me krenari kombëtare ka përfshirë rrugët e New York-ut ditë më parë, gjatë mbajtjes së paradës së shqiptarëve, një traditë e përvitshme që nderon komunitetin shqiptar në SHBA dhe trashëgiminë e tij të pasur.
Këtë vit, parada mori një vëmendje të veçantë për shkak të pjesëmarrjes së Kryetarit të Bashkisë së New York-ut, Eric Adams, i cili jo vetëm që mori pjesë në ngjarje, por edhe priti përfaqësues të komunitetit shqiptar në rezidencën zyrtare të Gracie Mansion.
Me një plis të bardhë në kokë dhe shallin kuq e zi rreth qafës, Adams u bashkua me shqiptarët në festë, duke shfaqur një respekt të veçantë për traditën dhe kulturën shqiptare.
“Duhet ta doni Shqipërinë më shumë se Amerikën,” u shpreh ai me një dozë humori, ndërsa shtoi se djali i tij është i dashuruar pas Shqipërisë dhe mezi pret të vizitojë vendin.
Në fjalimin e tij, kryebashkiaku theksoi rëndësinë e komunitetit shqiptar në jetën shoqërore të qytetit më të madh amerikan:
“Çfarë dite, çfarë dite. Kur mendoni për këtë, vëllezërit dhe motrat tona nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, kjo thotë shumë për ne të jemi këtu në Gracie Mansion. Parada juaj ka shumë kuptim, dhe mezi pres të vizitoj Shqipërinë, të shijoj lumenjtë, detet, malet e bukura dhe gjithçka që ofroni.”
Parada shqiptare në New York është një nga manifestimet më të mëdha të diasporës shqiptare në SHBA, ku për çdo vit mblidhen mijëra shqiptarë nga të gjitha trevat për të festuar identitetin dhe përkatësinë e tyre. Këtë vit, ajo u shoqërua me valle tradicionale, kostume popullore, këngë patriotike dhe një ndjenjë të thellë bashkimi.
Pjesëmarrja e një figure të lartë si kryebashkiaku Adams përforcon vlerësimin që komuniteti shqiptar gëzon në SHBA dhe është një mesazh i qartë se shqiptarët janë një pjesë vitale e mozaikut amerikan.
Në fund të fjalës së tij, Adams e përmbylli me një urim të veçantë: “Faleminderit. Gëzuar Ditën!”