Policia e Kosovës, përmes njësive të Task Forcës – Lindje dhe në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka vijuar angazhimet për parandalimin e kontrabandës dhe aktiviteteve të paligjshme përgjatë kufirit me Serbinë.
Një operacion i suksesshëm u realizua më 23 qershor 2025, kur gjatë kontrolleve taktike u identifikua një traktor me rimorkio të improvizuar që kishte kaluar ilegalisht nga fshati Tërrnocë në Serbi në drejtim të fshatit Hodonoc në komunën e Kamenicës.
Gjatë operacionit është zbuluar një rimorkio e ngarkuar me rreth 220 drunj dekorativë, të destinuar për shpërndarje brenda territorit të Kosovës, duke shmangur detyrimet doganore. Vlera e përgjithshme e mallrave të kontrabanduara është rreth 7 mijë euro, përveç shmangieve të mundshme nga taksat dhe detyrimet doganore.
“Rimorkioja ishte e ngarkuar me drunj dekorativë të cilët ishin të pajisur me etiketa për shpërndarje përmes postës vendore. Gjatë kontrollit në oborrin e një shtëpie të pabanuar në fshatin Hodonoc, pronë e N.P., është gjetur rimorkioja që dyshohet të jetë e përdorur nga L.I., i cili u arrestua në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës.
Operacioni u realizua në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit. Rimorkioja dhe mallrat janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor për procedurat e mëtejshme ligjore.