Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka paralajmëruar për një krizë të thellë financiare që po rrezikon funksionimin e pushtetit lokal në vend.
Sipas tij, vendimet gjyqësore të lidhura me një kontratë kolektive të imponuar nga niveli qendror kanë shkaktuar dëme të mëdha buxhetore për komunat.
“Deri më tani, komunave u janë marrë mbi 46 milionë euro si pasojë e këtyre vendimeve, pa pasur as ndonjë negociim paraprak apo mbështetje financiare nga niveli lokal,” deklaroi Ibrahimi.
Ai theksoi se kjo po e paralizon zhvillimin e qeverisjes lokale. Komunat më të goditura përfshijnë:
- Prishtina – mbi 6.2 milionë euro
 - Ferizaj – rreth 6 milionë euro
 - Prizreni – mbi 4.8 milionë euro
 - Deçani – 3.2 milionë euro
 - Mitrovica – 2.4 milionë euro
 - Peja, Rahoveci, Vitia – mbi 2 milionë euro secila
 - Vushtrria – mbi 1.7 milionë euro
 - Skenderaj dhe Suhareka – mbi 1 milion euro
 
Gjendja në Ferizaj është veçanërisht kritike, ku sipas Ibrahimit “xhirollogaria është pothuajse e bllokuar dhe pagesat bazike nuk realizohen më.”
AKK i ka bërë thirrje urgjente Qeverisë së Kosovës për:
- Krijimin e një fondi emergjent për të mbuluar borxhet e trashëguara nga kontrata e diskutueshme
 - Rishikimin e qasjes ndaj pushtetit lokal
 - Ndryshime thelbësore në kontratën kolektive
 
“Mungesa e reagimit nga niveli qendror nuk është më thjesht një neglizhencë politike, por një rrezik real për shërbimet bazike ndaj qytetarëve,” ka përfunduar Ibrahimi.
 
 
 
 
