Pas dështimit të 37-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj sjelljes së Lëvizjes Vetëvendosje dhe liderit të saj, Albin Kurti, duke e akuzuar atë për bllokimin e qëllimshëm të institucioneve.
Në një deklaratë para mediave, Çitaku theksoi se Kosova po kalon një moment kritik institucional për shkak të “kryeneçësisë dhe papërgjegjësisë” së subjektit të parë parlamentar.
“Sërish ishim dëshmitarë të shpërfaqjes së papërgjegjësisë politike të subjektit të parë parlamentar. Kjo situatë është e papranueshme. Në këtë pikë të bllokadës së plotë, jemi si rezultat i kryeneçësisë dhe papërgjegjësisë së VV-së dhe Albin Kurtit.
I bëjmë thirrje Kurtit të reflektojë – Kosova është shumë më e madhe se egoja e tij,” tha Çitaku.
Ajo kritikoi gjithashtu qasjen e Vetëvendosjes për pretendimet se kanë votat për të formuar qeverinë, por jo për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si Kryetare e Kuvendit, duke i quajtur “deklarata qesharake që nuk meritojnë koment”.