Aleksander Arsenijeviq është kthyer në qendër të vëmendjes pas akuzave të ngritura nga institucionet e sigurisë së Kosovës, që e lidhin atë me posedim të jashtëligjshëm të armëve dhe plane të dyshuara për akte destabilizuese ndaj shtetit të Kosovës.
Sipas Policisë së Kosovës, një arsenal armësh u gjet ditë më parë në një ahur në pronën e tij në një fshat të Zveçanit.
Por Arsenijeviq i ka hedhur poshtë kategorikisht këto akuza. Ai pretendon se armët janë vendosur në pronën e tij nga persona të panjohur, duke mohuar çdo lidhje me to.
Në një postim në Facebook, ai shprehet i gatshëm të përgjigjet para drejtësisë, por vetëm në formë të organizuar online, për shkak të mungesës së besimit ndaj institucioneve të sigurisë.
“Jam i gatshëm të merrem në pyetje nga Prokuroria ose Policia online në prani të avokatit tim. Sveçla, me deklaratat e tij, po i shton më shumë benzinë zjarrit që ka përgatitur,” ka shkruar ai.
Më herët Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, pati reaguar ashpër duke theksuar se Arsenijeviq do të kapet dhe do të përgjigjet ligjërisht për çdo provë që lidhet me rastin.

