Liberalizimi i energjisë: Oda Amerikane kërkon pezullim të menjëhershëm pas aktvendimeve gjyqësore

by engel

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka ngritur sërish problemin rreth mënyrës së zbatimit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, duke theksuar pasiguritë e krijuara pas dy aktvendimeve të ndara të Gjykatës Komerciale që pezulluan vendime të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Në të dy rastet, gjykatat kanë vendosur në favor të kompanive që kundërshtojnë masat e ZRRE-së, duke urdhëruar pezullimin e tyre deri në një vendim përfundimtar.

banner

Sipas Odës, fakti që dy gjyqtarë të ndryshëm kanë arritur në të njëjtin përfundim nënvizon se nuk kemi të bëjmë me raste të izoluara, por me një problem sistemik që kërkon reflektim institucional urgjent.

“Edhe pse këto masa aktualisht pezullohen vetëm për një numër të kufizuar kompanish, ndikimi i tyre është i shumëfishtë dhe përbën rrezik për një trajtim të pabarabartë në treg,” thuhet në reagimin e Odës.

Sipas saj, vazhdimi i zbatimit të vendimeve të ZRRE-së për liberalizim, ndërkohë që një pjesë e aktorëve ekonomikë përjashtohet përkohësisht përmes gjykatave, përkeqëson klimën e investimeve dhe krijon pasiguri juridike për të gjithë pjesëmarrësit në tregun e energjisë.

Duke u bazuar në parimet e drejtësisë dhe trajtimit të barabartë para ligjit, Oda i bën thirrje ZRRE-së që të pezullojë menjëherë çdo masë të kontestuar deri në qartësimin përfundimtar të situatës nga gjyqësori.

“Vetëm një treg i drejtë dhe i funksional, ku të gjitha kompanitë veprojnë me standarde të barabarta, mund të garantojë qëndrueshmëri dhe rritje ekonomike,” përfundon deklarata.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy