Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka zbuluar një mangësi serioze në funksionimin e Policisë së Kosovës, duke evidentuar se qindra zyrtarë policorë po ushtrojnë detyra për të cilat nuk plotësojnë kriteret e gradës sipas strukturës organizative.
Në raportin për pasqyrat financiare të Ministrisë së Punëve të Brendshme për vitin 2024, ZKA thekson se 341 zyrtarë policorë janë sistemuar në pozita të pakualifikuara, shifër që përbën pothuajse dyfishim krahasuar me vitin 2023, kur ishin 185 të tillë.
“Ky sistemim vjen si pasojë e zbatimit të strukturës së re organizative dhe rrethanave të krijuara në veri të vendit, ku për nevoja operacionale janë emëruar zyrtarë me grada jo përkatëse,” thuhet në raport.
Gjithashtu, dështimi i procesit të gradimit për nivelin e rreshterit në shkurt të vitit 2024 kontribuoi në këtë situatë, pas anulimit të konkursit me rekomandim të IPK-së dhe për nevoja harmonizimi me aktet ligjore në fuqi.
ZKA paralajmëron se ushtrimi i funksioneve pa gradën e duhur mund të dëmtojë cilësinë e shërbimeve dhe të ulë nivelin e profesionalizmit në polici.
Auditori shtetëror kërkon përshpejtimin e procesit të gradimeve dhe harmonizimin e akteve nënligjore. “Ministri dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës duhet të ndërmarrin veprime urgjente për të ndalur praktikën e emërimeve në kundërshtim me kriteret strukturore dhe ligjore,” thuhet në rekomandimin B4 të raportit.