Në një krahasim që ka ndezur reagime të forta brenda dhe jashtë SHBA-së, Presidenti amerikan Donald Trump ka barazuar sulmet e tij ndaj Iranit me përdorimin e bombave bërthamore ndaj Hiroshimës dhe Nagasakit gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Nuk dua të përdor shembullin e Hiroshimës… por kjo ishte në thelb e njëjta gjë që i dha fund asaj lufte,” deklaroi Trump në samitin e NATO-s që po mbahet në Holandë.
Ai shtoi se, sipas tij, veprimet ushtarake kundër Iranit kanë kthyer programin bërthamor të Teheranit “me dekada prapa”.
Presidenti amerikan u shpreh se është duke pritur një raport të detajuar nga Izraeli mbi dëmet e shkaktuara, që sipas tij do të vërtetojë “zhdukjen totale” të kapaciteteve iraniane.
“Ata thjesht kaluan nëpër ferr,” tha Trump, duke shtuar se gjëja e fundit që Irani do të guxojë të bëjë është të pasurojë përsëri uraniumin.
Këto deklarata vijnë në një klimë tashmë të tensionuar globale, me ekspertë të sigurisë që paralajmërojnë për pasoja të rënda diplomatike dhe rrezik për përshkallëzim të konfliktit në Lindjen e Mesme.