Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim ka njoftuar se edhe sot do të vazhdojë operacioni për gjetjen e Nebi Tejecit, 85-vjeçarit i cili është raportuar i zhdukur në fshatin Gorozhup të komunës së Prizrenit.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni i kërkimit do të rifillojë në orën 09:00, me angazhimin e plotë të ekipeve të kërkim-shpëtimit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Zjarrfikësit, Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) si dhe vullnetarë nga zona.
“Kërkimet do të vazhdojnë përgjatë gjithë ditës me përkushtim maksimal nga të gjitha njësitë e përfshira në terren,” thuhet në njoftimin e publikuar në Facebook nga Shoqata.
Autoritetet kanë falënderuar të gjithë pjesëmarrësit për ndihmën dhe përkushtimin e treguar deri tani, ndërsa kanë bërë thirrje qytetarëve që mund të kenë ndonjë informacion të dobishëm, ta raportojnë sa më parë tek autoritetet përkatëse.
Kujtojmë se z. Tejeci është raportuar i zhdukur disa ditë më parë dhe prej asaj kohe, ekipet janë angazhuar në kërkime intensive në zonat përreth fshatit Gorozhup.