Mision i përmbushur për Interin në Kupën e Botës për Klube. Zikaltërit kanë triumfuar ndaj River Plate në ndeshjen e zhvilluar në Seattle, duke siguruar një biletë për në fazën e 1/8-ave të turneut. Kjo ishte fitorja e dytë radhazi për skuadrën e drejtuar nga trajneri Christian Chivu, pas suksesit të mëparshëm ndaj Urawa Reds.
Në qendër të vëmendjes në mbrëmjen amerikane ishte Francesco Pio Esposito. Sulmuesi i ri i lindur në vitin 2005, në debutimin e tij si titullar me fanellën e Interit në një ndeshje zyrtare, shënoi golin e tij të parë për klubin milanez, duke çelur rrugën drejt kualifikimit.
Pas golit të Carbonit në përballjen ndaj Urawa Reds, sërish të rinjtë treguan se janë të vlefshëm për të ardhmen e Interit. Ndërkohë, Alessandro Bastoni vulosi fitoren me një gol nga distanca, duke shuar çdo shpresë për rikthim të River Plate.
Tension në fundin e ndeshjes
Në minutat e fundit të ndeshjes nuk munguan momentet e tensionit. Një përplasje mes Denzel Dumfries dhe Marcos Acuña solli ndërhyrjen e trajnerit Chivu dhe të gjithë lojtarëve për të qetësuar situatën. Dumfries u largua menjëherë drejt dhomave të zhveshjes, ndoshta për të shmangur ndonjë ndëshkim të mundshëm nga gjyqtari.
Esposito: “Nuk po e besoja që shënova”
Një nga emrat më të përfolur në radhët e Interit në këtë kompeticion ka qenë pikërisht Pio Esposito, pas një sezoni shumë të mirë me Spezian. Pas ndeshjes, ai deklaroi:
“Jam jashtëzakonisht krenar për atë që dhashë sot në fushë. Kur pashë topin të hynte në rrjetë, nuk po e besoja. Jam shumë i lumtur si për golin, ashtu edhe për kualifikimin.”
Sfida e radhës: Fluminense
Me këtë fitore, Interi e mbyll në vendin e parë grupin E, përpara Monterrey, që fitoi 3-0 ndaj Urawa Reds në ndeshjen tjetër të grupit.
Tani zikaltërit do të përballen me Fluminense, që e mbylli grupin F në vendin e dytë pas Borussia Dortmund. Ndeshja e vlefshme për 1/8-at e finales do të luhet të hënën, më 30 qershor, në Bank of America Stadium, me fillim nga ora 21:00 (ora e Italisë).