Deputeti nga komuniteti egjiptian, Veton Berisha, ka zgjedhur të flasë hapur për pasurinë e tij, duke mohuar çdo aludim për burime të dyshimta apo jo të deklaruara.
I ftuar në TeVë1, Berisha theksoi se pasuria e tij është e trashëguar dhe plotësisht e dokumentuar.
“Unë kam lindur milioner. Vij nga fshati Qyshk, jam nipi i Ukë Sallah Berishës, që njihet gjerësisht në atë zonë,” u shpreh ai, duke shtuar se familja e tij zotëron rreth 5 hektarë tokë me vlerë të konsiderueshme.
Sipas tij, çdo pronë dhe të ardhura janë të raportuara në formularët zyrtarë të deklarimit të pasurisë.
Berisha gjithashtu theksoi se bashkëshortja e tij është gjinekologe dhe pjesa më e madhe e familjarëve të tij punojnë jashtë vendit, duke kontribuar në mirëqenien familjare.
“Unë vetë punoj që nga viti 2008 dhe është krejt normale që gjatë gjithë kësaj kohe të kem blerë banesë dhe gjëra të tjera. Të gjitha i kam të deklaruara sipas ligjit,” u shpreh ai.
Deklarata e tij ka ngjallur reagime të ndryshme në opinionin publik dhe rrjete sociale, ndërsa Berisha mbetet i bindur se transparenca është çelësi për të përballuar çdo dyshim.