Kundërpërgjigje ndaj NATOs? Kina mbledh ministrat e Mbrojtjes së Rusisë, Indisë dhe Iranit një ditë pas samitit të NATO-s

by engel

Ndërsa samiti i NATO-s në Hagë përfundoi me një marrëveshje për rritjen e shpenzimeve ushtarake nga 32 vendet anëtare, përfshi Shqipërinë, Kina reagoi me veprim konkret: një takim me peshë të ministrave të Mbrojtjes nga Rusia, Irani, India dhe vende të tjera të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), i zhvilluar në qytetin portual të Qingdaos.

Takimi ndodhi në një moment të tensionuar pas armëpushimit mes Iranit dhe Izraelit, të arritur pas një sulmi të koordinuar amerikan ndaj centraleve bërthamore iraniane.

banner

Kina, e cila mban qëndrim të kujdesshëm ndaj konflikteve globale, shfrytëzoi këtë moment për të theksuar vendosmërinë e saj në ndërtimin e një rendi të ri shumëpolar.

Ministri kinez i Mbrojtjes, Dong Jun, i quajti zhvillimet aktuale si “trazira të paqëndrueshme globale” dhe e konsideroi takimin në Qingdao si përgjigje ndaj rritjes së “unilateralizmit dhe hegjemonisë.”

“Bota po kalon ndryshime të thella. Aktet dominuese dhe ngacmuese dëmtojnë rendin ndërkombëtar. Vendet tona duhet të veprojnë së bashku për zhvillim dhe siguri paqësore,” deklaroi ai.

Ministri indian Rajnath Singh zgjodhi një qasje më të moderuar, duke theksuar nevojën për bashkëpunim rajonal dhe përshtatje me transformimin e globalizimit, ndërsa përfaqësuesi rus, Andrei Belousov, e përshëndeti ngrohtësisht Pekinin, duke deklaruar se marrëdhëniet dypalëshe janë “në nivelin më të lartë historikisht.”

Me 10 vende anëtare, përfshirë gjigantë si Kina, India dhe Rusia, SCO po shfaqet gjithnjë e më tepër si një alternativë ndaj aleancave klasike si NATO.

Tema si siguria kolektive, shkëmbimi ekonomik dhe bashkëpunimi teknologjik ishin në qendër të diskutimeve — por ajo që ra më shumë në sy ishte mesazhi politik: një vizion për një rend botëror më pak të varur nga axhendat e Perëndimit.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy