Në një takim kortezie të zhvilluar sot në Odën e Komunës së Prishtinës, Kryetari Përparim Rama mirëpriti Ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, z. László István Dux.
Lajmin e bëri të ditur vetë kreu i komunës përmes një njoftimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar bisedën si një hap drejt forcimit të marrëdhënieve ndërinstitucionale.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë konkrete të bashkëpunimit në fusha me rëndësi të veçantë për të ardhmen e qytetit, si kultura, zhvillimi urban dhe inovacioni.
Të dy palët shprehën gatishmëri për të eksploruar projekte të përbashkëta që mund të sjellin përfitime të ndërsjella dhe të kontribuojnë në modernizimin e kryeqytetit.
“Një bisedë e vlefshme që mundëson hapjen e perspektivave të reja për bashkëpunim të qëndrueshëm,” është shprehur Kryetari Rama.