Pak para fillimit të seancës së 38-të të Kuvendit të Kosovës, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka theksuar nevojën për qasje konstruktive në skenën politike të vendit, duke u distancuar nga retorikat e bazuara në inat dhe përplasje.
Në deklaratën e saj për mediat, Kusari-Lila u shpreh se stabiliteti institucional dhe përfaqësimi efektiv i qytetarëve kërkojnë vizion të qartë dhe respekt për mandatin e votës.
“Inati nuk sjell askund asnjë rezultat. Bazimi në inat, në urrejtje, në kundërshti nuk prodhon pozitivitet,” deklaroi ajo, duke shtuar se veprimet politike të bazuara në emocione momentale mund të kenë efekt të përkohshëm, por jo zgjidhje afatgjata.
Ajo e konsideroi respektimin e Kushtetutës dhe mandatit të dhënë nga qytetarët si gurthemel për funksionimin e Kuvendit dhe ndërtimin e besimit institucional.