Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan: Kosova duhet të tejkalojë ngërçin politik — Vendi nuk mund të mbetet peng i bllokadës

by engel

Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA), me seli në kryeqytetin amerikan, ka shprehur shqetësimin e thellë për situatën politike në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e një qeverisjeje funksionale dhe të koordinuar në këtë moment kritik për vendin.

Në një deklaratë zyrtare, Këshilli nënvizon se po ndjek nga afër zhvillimet në Prishtinë dhe mbetet fuqimisht i përkushtuar për të mbështetur çdo përpjekje që forcon institucionet demokratike të Kosovës dhe partneritetin e saj strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

banner

KKSHA e cilëson paralizën institucionale si të pajustifikueshme, duke e lidhur atë me pasoja të rënda për besimin publik dhe për sigurinë e vendit në një kontekst global të ndjeshëm.

“Kjo bllokadë politike minon besimin e qytetarëve, dobëson shtetin dhe e ekspozon Kosovën në një ambient ndërkombëtar gjithnjë e më të paqëndrueshëm,” thuhet në deklaratë.

Këshilli përshëndet vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës si një rrugëdalje legjitime dhe bën thirrje për respektim të shtetit ligjor dhe të autoritetit kushtetues, duke e cilësuar këtë si një trashëgimi të rëndësishme të demokracisë në Kosovë.

Në vijim, KKSHA apelon ndaj të gjitha partive parlamentare që të marrin pjesë në seancën e ardhshme të Kuvendit me ndjenjën e urgjencës dhe përgjegjësisë kombëtare për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit dhe për të formuar qeverinë pa vonesa.

“Vendi duhet të ecë përpara. Mbështetja e SHBA-ve mbetet e palëkundur, por ajo kërkon institucione efektive dhe koordinim të vazhdueshëm,” thekson Këshilli.

Në përmbyllje të deklaratës, KKSHA rikonfirmon rolin e tij si një urë lidhëse mes popullit dhe institucioneve të Kosovës dhe politikës amerikane, duke theksuar përkushtimin për të amplifikuar zërin e qytetarëve kosovarë në arenën ndërkombëtare.

Ky reagim vjen në një kohë ku bllokimi i Kuvendit dhe pamundësia për të formuar qeverinë e re pas zgjedhjeve ka rritur shqetësimet për stabilitetin politik dhe ndërkombëtar të vendit.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy