Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka ndarë entuziazmin e tij nga përjetimet në kuadër të Prishtina Outdoor Festival, i cili po mbahet në liqenin e Badovcit.
Ai theksoi rëndësinë e aktiviteteve rekreative që jo vetëm përmirësojnë stilin e jetesës, por edhe forcojnë lidhjet mes brezave.
“Jemi krenarë që, si kryeqytet, po qëndrojmë krah aktiviteteve që promovojnë shëndet, bashkëjetesë dhe momente të paharrueshme për të gjithë – fëmijët, të rinjtë e prindërit,” tha Rama, teksa përshkroi përvojën e tij në aktivitetin e lundrimit me kayak – një ndër atraksionet më të veçanta të festivalit.
Ai shtoi se festivali rikujton potencialin e madh të Prishtinës për t’u shfrytëzuar ndryshe – përmes sportit, natyrës dhe energjisë pozitive.
Prishtina Outdoor Festival vazhdon të sjellë aktivitete të larmishme për qytetarët, duke shndërruar hapësirat natyrore në qendra të mirëqenies dhe argëtimit.

