Kur Shkelet Kushtetuta, Rrezikohet Demokracia – Qytetarët kanë obligim ta ruajnë Demokracinë!

by engel

Autori: Dr. Engelbert Zefaj, Profesor Universitar

Ajo që ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës, ku Avni Dehari mori pa asnjë të drejtë pushtetin e Kuvendit, nuk është thjesht një incident parlamentar – është një këmbanë alarmi për të gjithë qytetarët e këtij vendi.

banner

Veprimet e kundërligjshme të kryesuesit të seancës, Avni Dehari, janë pasqyrë e një devijimi të rrezikshëm institucional që prek vetë themelet e demokracisë. Mosrespektimi i një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese është shkelje flagrante e rendit kushtetues dhe sinjal i një arrogance politike që nuk guxojmë ta tolerojmë.

Kushdo që e pa seancën sot, kuptoi qartë se vendimi për të vazhduar me një procedurë të ndryshuar votimi – nga votim i hapur në të fshehtë – u mor në kundërshtim të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo nuk është çështje interpretimi, duhet të respektohet, sepse ashtu ka gjykuar Gjykata Kushtetuese!

Gjykata ka qenë e qartë: seanca duhet të vazhdojë në përpikëmëri ashtu si ka filluar, përndryshe dëmtohet legjitimiteti i gjithë procesit. Por përkundër kësaj, kryesuesi Dehari, nën hijen politike të Albin Kurtit, veproi në mënyrë të njëanshme, duke i kthyer shpinën vendimit më të lartë juridik në shtet.

Kjo nuk është më politikë, kjo është përpjekje për uzurpim institucional.

E keqja nuk ndalet në sallën e Kuvendit. Ajo fillon aty dhe përhapet në çdo cep të shoqërisë nëse qytetarët heshtin. Nëse një udhëheqës mund të injorojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese sot, nesër mund të injorojë të drejtat tuaja, pronën tuaj, zërin tuaj. Prandaj, reagimi nuk është vetëm e drejtë – është detyrë qytetare.

Deputetët, sado të përkushtuar, nuk janë të mjaftueshëm në këtë betejë. Kur atyre u mbyllen dyert dhe u shterojnë mjetet, fjala dhe veprimi duhet të vijë nga qytetari. Nga unë, nga ti, nga ne të gjithë. Demokracia nuk është vetëm një sistem – është marrëveshje kolektive, dhe kur ajo thyhet nga pushteti, vetëm qytetarët mund ta rindërtojnë.

Askush nuk është mbi Gjykatën Kushtetuese. As Albin Kurti. As Avni Dehari. Aktgjykimet e saj nuk janë vetëm sugjerime, janë obligime që kërkojnë respekt të plotë dhe zbatim të menjëhershëm. Këmbëngulja e Qeverisë për ta interpretuar sipas dëshirës vendimin e Gjykatës është një lojë e rrezikshme me besimin e publikut dhe integritetin e shtetit.

Kompromisi dhe konsensusi ishin fjalë kyçe të Gjykatës Kushtetuese në aktgjykimin saj. Ato janë shtylla të një sistemi demokratik që funksionon për të gjithë, jo vetëm për shumicën.

Partia e parë duhet të respektojë secilin nen të Gjykates Kushtetuese, në sekuncim ashtu siq i ka dhënë Gjykata. Nuk jemi njerëz që nuk kuptojmë! Nuk mundet Albin Kurti të interpretojë aktgjykimin e Gjykatës sipas dëshirës dhe të mashtrojë se po e respekton Gjykatën!

Nëse nuk e mbrojmë sot demokracinë në Kuvend, nesër nuk do të kemi mundësi ta mbrojmë askund tjetër.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy