
Shkruan: Ahmet Asani
Sa i përket Betejës së Kosovës në vitin 1389, ekzistojnë disa shkrime të shkurtra të kohës, si letra e mbretit Tvrtko I të Bosnjës drejtuar Republikës së Firences, në të cilën ai paraqet betejën si një fitore të koalicionit të krishterë; letra e mbretit të Francës Karl VI, që përmend vrasjen e sulltanit; disa raporte të tregtarëve dhe diplomatëve të Dubrovnikut që pasqyrojnë pasojat politike dhe ekonomike të betejës; si dhe disa letra të Papës Bonifaci IX, ku përmendet vdekja e Sulltan Muratit dhe rreziku osman për Evropën.
▪︎ Por ajo që duhet theksuar është se nuk ekziston asnjë dokument i natyrës së raporteve zyrtare ushtarake, as nga ana e osmanëve, e as nga ana e koalicionit antiosman. Pra, mungojnë ditarë lufte, urdhra komandantësh, përshkrime taktike të betejës nga vetë pjesëmarrësit, etj. Prandaj, Beteja e Kosovës mbetet një nga ngjarjet më pak të dokumentuara drejtpërdrejt nga pikëpamja burimore në historinë e Mesjetës Ballkanike.
▪︎ Sido që të ketë ndodhur Beteja e Kosovës, epilogu i kësaj lufte dihet: serbët vazhduan marrëdhëniet miqësore dhe bënë aleancë me osmanët; ndërsa pasardhësit e popullsisë së mbretit Tvrtko – boshnjakët – ishin ndër të parët në Ballkan që pranuan islamin, shumë më herët se arbërit.
▪︎ Arbërit në anën tjeter, që luftuan pa ndihmën e askujt, kur u mundën, disa u larguan në Itali, ku edhe sot jetojnë me mall për atdheun që prej 500 vitesh; ndërsa ata që mbetën, ose u bënë mercenarë për të ruajtur fenë që kishin, ose kaluan në islam për të mbijetuar përballë terrorit të sistemit osman.