Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka paralajmëruar se situata e sigurisë në vend, ndonëse e qetë në pamje të parë, mbetet e brishtë dhe e ndjeshme ndaj shpërthimeve të mundshme të dhunës dhe jostabilitetit.
Gjatë një interviste për emisionin FIVE në televizionin Dukagjini, Barduani theksoi se këto vlerësime janë ndarë edhe me zinxhirin komandues të NATO-s dhe udhëheqësinë e Bashkimit Evropian, duke përmendur edhe vizitën e fundit të zonjës Kaja Kallas në Kosovë.
“Situata në Kosovë, gjersa duket të jetë e qetë në përgjithësi, mbetet e brishtë. Kjo do të thotë se ekziston mundësia për shpërthime të menjëhershme të dhunës. Këtë vlerësim e kam ndarë me NATO-n dhe BE-në”, deklaroi Barduani.
Ai kujtoi incidentet e mëparshme që kanë dëshmuar ndjeshmërinë e gjendjes, si sulmi ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan në vitin 2023, si dhe sulmi në kanalin Ibër-Lepenc në vitin 2024.
Sipas tij, përballë këtyre zhvillimeve, KFOR-i ka ndërmarrë masa parandaluese për të nxitur bashkëpunimin ndërkomunitar dhe ruajtjen e stabilitetit në terren. Ai nënvizoi se KFOR-i mbetet vigjilent dhe aktiv në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe angazhimin e forcave rezervë të NATO-s.
“KFOR-i ka një prani të dukshme dhe fleksibile, duke qenë në gjendje të përgjigjet me efikasitet ndaj çdo sfide që mund të ndikojë në sigurinë lokale ose rajonale. Misioni ynë është mirë i pajisur dhe i koordinuar me të gjithë aktorët ndërkombëtarë në rajon”, tha ai.
Në këtë kontekst, Barduani përsëriti se zgjidhja e çështjeve të hapura është politike, jo ushtarake, duke theksuar rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Rruga drejt paqes afatgjate është politike. NATO-ja vazhdon të mbështesë fuqishëm dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si e vetmja kornizë për zgjidhjen e çështjeve që prekin komunitetet në Kosovë”, theksoi ai.
Barduani bëri të ditur se NATO është në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e BE-së, veçanërisht me të dërguarin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sonrensen, duke theksuar se është thelbësore që të dyja palët të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromise.
“Zgjidhja përfundimtare nuk mund të vijë përmes forcës, por përmes dialogut. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet stabilitet i qëndrueshëm në Kosovë dhe në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, përfundoi komandanti i KFOR-it.