Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj kërkesave të Bashkimit Evropian dhe ambasadave të huaja që e kanë paralajmëruar të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër.
Pas vendosjes së gurthemelit të këtyre urave, Kurti ka theksuar se qeveria po vepron në përputhje të plotë me planet zhvillimore dhe legjislacionin e Kosovës.
“Unë jam kryeministër i Kosovës. Këta janë ministra të Kosovës. Janë kryetar të Komunave të Kosovës. Gjithçka që bëjmë është në përputhje me planet tona, sipas ligjit dhe për të mirën e të gjithë qytetarëve,” u shpreh Kurti para mediave.
Ai gjithashtu u bëri thirrje të gjitha palëve që kanë dilema në lidhje me projektin, që të kontaktojnë institucionet e Kosovës për sqarime të hollësishme.
“Ata që kanë dilema, lirisht mund të na kontaktojnë dhe ua shpjegojmë me përpikmëri dhe durim,” shtoi ai.
Ky zhvillim vjen në një moment të ndjeshëm politik, ku tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta dhe komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar që të shmangen veprimet që mund të përshkallëzojnë situatën.