Lajmi i publikuar më 4 tetor 2024 nga gazeta britanike Daily Telegraph me titullin “1 në 50 shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar është në burg” ka shkaktuar reagime të forta, duke u bërë pikë debati mes Nigel Farage dhe kryeministrit Edi Rama.
Top Channel raporton se Uran Ferizi, ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, ka ofruar të dhëna zyrtare dhe argumente që sfidojnë këtë shifër, duke e quajtur atë të pasaktë dhe mashtruese.
Sipas ambasadorit Ferizi, krahasimi i bërë nga Daily Telegraph mes numrit të shqiptarëve në burgje dhe komunitetit shqiptar në Britani bazohet në grupe të ndryshme të dhënash, me përkufizime të ndryshme të shtetësisë dhe periudhave kohore të ndryshme.
Ai thekson se shifra nuk përfshin shqiptarët e natyralizuar, ata me dy pasaporta, apo fëmijët e lindur në Britani me origjinë shqiptare
“Statistikat e Ministrisë së Drejtësisë së Mbretërisë së Bashkuar nuk bëjnë dallimin mes llojeve të krimeve dhe nuk përjashtojnë saktësisht kush përfshihet në këto të dhëna,” tha ambasadori.
Ai shtoi se numri real i shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar është shumë më i madh se sa e evidenton Daily Telegraph, duke cituar të dhëna nga konsullatat dhe analiza të tjera që sugjerojnë se popullsia shqiptare llogaritet diku midis 200,000 dhe 500,000 banorë, ndërsa një vlerësim konservator flet për rreth 300,000 shqiptarë.
Duke marrë parasysh përqindjen e meshkujve të moshës 18–35 vjeç, që janë më të rrezikuar nga burgosja, ambasadori Ferizi tha se përqindja e shqiptarëve në burg është më afër njërit në 500 dhe jo një në 50, siç është pretenduar
“Statistikat e papërpunuara dhe të pasakta të këtilla rrezikojnë të ushqejnë stereotipe të dëmshme dhe të dëmtojnë marrëdhëniet mes komuniteteve, duke fshirë kontributet pozitive të shumicës dërrmuese të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë ligjërisht në Mbretërinë e Bashkuar,” përfundoi ambasadori.
